“Punësimet partiake për anëtarë partiak, që janë prodhim i marrëveshjeve politike, ndodhin gjithmonë para dhe pas zgjedhjeve brenda në koalicionet e partive maqedonase dhe shqiptare”.
Kështu e komenton politologia Sonja Stojadinoviq rolin e Ministrisë së sistemit politik në sistemin e shtetit. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e kompetencave të kësaj ministrie përputhen me kompetencat e agjencive dhe komisioneve të tjera që edhe paraprakisht kanë ekzistuar.
– Ne nuk jemi shtet shumë i madh si Franca ose Rusia për të pasur Ministri për sistem politik dhe cili është ai sistem politik që duhet të rregullohet me një ministri të tërë? Ndërkaq, çështje tjetër është që numri kaq i madh i të punësuarve është disa herë më i madh në krahasim me një ministri mesatare. Ministria nuk është transparente, askund nuk është publikuar ndonjë sqarim se çfarë është problemi për numër të tillë të madh të punësimeve dhe se çfarë rregullon ajo. Nëse rregullohen marrëdhëniet midis bashkësive, ne kemi agjenci dhe komisione nga të cilat këto gjera rregullohen që moti. Ky është vetëm krijimi të edhe një mastodonti të panevojshëm, përkatësisht diçka që populli e vlerëson si “derdhje e ujit nga asgjë në të zbrazët”, thotë Stojadinoviq.
Shikojeni tërë intervistën me politikologen Sonja Stojadinoviq
Ministri i mëparshëm i financave Xhevdet Hajredini, i cili ka qenë edhe kryetar i koalicionit të organizatave jo-qeveritare “Maqedonia pa korrupsion”, konsideron se këto punësime nuk janë prodhim i Marrëveshjes Kornizë por, siç thotë ai, bëhet fjalë për punësime në sajë të çelësit partiak. Sipas tij, për pagesën shumëvjeçare të rrogave nga buxheti i shtetit për njerëzit që nuk shkojnë në punë, më me përgjegjësi janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe kryeministri aktual Zoran Zaev.
- Nuk është logjike se si të punësuarit, në sajë të Marrëveshje Kornizë, të trajtohen pikërisht ata, që më tepër se dhjetë vit, marrin para nga buxheti duke mos shkuar në punë. Në Marrëveshjen Kornizë nuk ekziston një gjë e tillë e as që mund të ekzistojë. Kush janë ata njerëz që me një ligj të tillë deri tani e kanë fituar atë të drejtë, për të qenë të punësuar, siç thotë Artan Grubi, “me leks specialis” deri tani askush nuk e ka të njohur. Prapëseprapë, nuk është sekrete se evidenca fillestare është bërë në degët partiake - thekson Hajredini.
Projekte politike pa të gjitha nishanet juridike
Ekspertë të tjerë më të cilët biseduam, ndërkaq thonë se formimi i ministrisë së tillë nuk është problematike, mirëpo theksojnë se ajo nuk është e vendosur në sistemin me të gjitha parametrat e nevojshëm, nga pikëpamja e të drejtës administrative, për të vetmin fakt se paraqet projekt politik.
– Kjo ministri u themelua me ndryshime të Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore, kështu që vetëm ndodhi transformimi i Sekretariatit. Por, ajo nuk u bë me të gjitha nishanet, sepse duhej që në vetë Ligjin të theksohet vetë Ministria me të gjitha organet dhe kompetencat e tija. Mandej, duhej të ndryshohet edhe Ligji për qeverinë, në të cilin do të thuhej se ministri i kësaj Ministrie është kryeministri i parë, përkatësisht i vetëm në sajë të funksionit, e jo ai të bëhet me ndryshimin e rregullores, me të cilën, zakonisht, rregullohet udhëheqja e seancave – sqaron profesori universitar Borçe Davitkovski.
Sipas tij, përveç definimit të drejtë të ministrisë dhe përcaktimit të rolit shtesë të ministrit, nevojitet që urgjentisht të ri-shpërndahen njerëzit që nuk shkojnë në punë ndërsa marrin rrogë, e mandej të përgatitet edhe sistematizimi i vendeve të punës për ata që do të mbeten të punojnë në institucionin. Gjithashtu, ai vë në pah se duhet të bëhet analizë funksionale për tu shmangur dyfishimi dhe akumulimi i kompetencave të kësaj me ministritë e tjera në raport me procesin e punësimit në sektorin publik, si dhe në raport me krijimin e politikave në arsimin, kulturën.... Deri atëherë, siç thekson ai, duhet të ndërpriten të gjitha procedurat për punësime të reja në sektorin publik.
- Qeveria urgjentisht duhet të sjellë vendim për moratorium të punësimeve, përderisa nuk zgjidhet statusi i njerëzve, të cilët, nëse gjenden në shtetin tonë, patjetër duhet të pranojnë transferim në pozicion tjetër përkatës. Këtu ka hapësirë të flitet për pasurim të pa bazë të njerëzve, që kanë marrë para nga buxheti, duke mos ofruar shërbime dhe servise ndaj qytetarëve, e supozohet se një pjesë prej tyre as që gjenden në vendin tonë. Dikur, në kuadër të një universiteti shtetëror u përgatit një studim, sipas të cilit pjesa më e madhe e tyre janë në botën e jashtme – vë në pah profesori i të Drejtës administrative Davitkovski.
Dinamikë e përforcuar e punësimit pas viteve zgjedhore
Si ka rrjedhe procesi i mbushjes së institucioneve me të punësuar? Sipas të dhënave që i morëm në pajtim me Ligjin për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, që në vitin e parë pas themelimit të Sekretariatit për Marrëveshjen Kornizë, janë punësuar 205 persona. Rastësisht apo jo, pikërisht në atë vit,pra në vitin 2008, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat VMRO – DPMNE e shkëputi partneritetin dyvjeçar me PDSH-në dhe themeloi qeveri me BDI-në, kuadrot e të cilëve gjatë tërë kohës, pa pengesa, udhëheqin me këtë institucion.
Por, në vitin vijues 2009, kur u mbajtën zgjedhjet e dyfishta, presidencialet dhe lokalet, në Sekretariatin e atëhershëm për Marrëveshjen Kornizë është punësuar numër rekord prej 800 personave të rinj. Një vit më vonë,në vitin 2010, numri i të punësuarve të ri zvogëlohet, por prapëseprapë bëhet fjalë për 384 punësime të reja. Nga kjo buron se vetëm në 3 vitet e para, në Sekretariatin e atëhershëm janë punësuar gjithsej 1 mijë e 389 persona që është më tepër se një e treta e numrit të gjithëmbarshëm të numrit të të punësuarve.
Më tej, në vitin 2011, kur sërish u mbajtën zgjedhje të parakohshme parlamentare, në Sekretariat janë punësuar 578 persona të rinj, përafërsisht njëlloj si në vitin e ardhshëm 2012, kur në institucionin e ri kanë hyrë 578 persona të rinj. Në vitin 2014, ndërkaq, kur u mbajtën zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare në pako me zgjedhjet presidenciale, në Sekretariat janë punësuar 402 persona të rinj. Në vitin 2015 ky numër bie në 159 persona, ndërsa trendi i tillë përforcohet gjatë viteve të ardhshme, duke pasur parasysh se gjatë të gjitha 4 viteve, që nga viti 2016 deri në vitin 2019, janë punësuar gjithsej 16 persona (4+4+3+5).
Në këtë mënyrë arrihet deri te shifra prej 3mijë e 509 persona të punësuar në këtë organ shtetëror, të cilët kryesisht janë punësuar në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015. Tendenca e këtillë e punësimit është alimentuar me mjete buxhetore që, nga viti në vit ,vazhdimisht janë rritur kështu që ato gjithsej arrijnë në 100 milion euro. Për krahasim, nëse në institucioni në vitin 2008 ka paraparë 137 milion denarë, sivjet janë paraparë mbi 500 milion denarë, kryesisht për rroga për të punësuarit, që do të thotë se buxheti në këtë periudhë është rritur për 4 herë.
Një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve kanë ndodhur në kohën e VMRO – DPMNE–së. Pikërisht në këtë temë biseduam edhe me Timço Mucunskin, deputet nga opozita, të cilin e pyetëm – përse është toleruar praktika e tillë dhe kush është përgjegjës për këtë?
Shikojeni intervistën e plotë me Timço Mucunskin, deputet nga VMRO-DPMNE
“Deri në vitin 2015 dhe 2016 ekzistonte një, unë e emërtoj kanal të ndarë të punësimit, përkatësisht punësim të personave në Sekretariatin për marrëveshje kornizë, me logjikën e gjërave se ato do të duhej më tej të transferohen në sistem. Atëherë u pa se deri në çfarë shkalle ka arritur ky problem, në kuadër të asaj reforme të madhe të administratës publike, përmes së cilës ,ne për herë të parë erdhëm në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik. Ka pasur përpjekje për zgjidhje të problemit, por merrni parasysh faktin se për të bërë ri-shpërndarje duke e shfrytëzuar marrëveshjen, nevoitet edhe pëlqimi i institucionit ku është i punësuar ai person”, thotë Mucunski.
Si krijohej Ministria e sistemit politik në sistemin tonë?
Për herë të parë, Ministria e sotme për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive është themeluar në prill të vitit 2004, kur me vendim të Qeverisë, në realitetet themelohet Sektori për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ndërkohë, me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për qeverinë, ky sektor transformohet në Sekretariat për zbatim të Marrëveshjes Kornizë, i cili praktikisht ka filluar të funksionojë nga janari i vitit 2008. Në formë të tillë, institucioni vepron deri para një viti e gjysmë, kur sekretariati bëhet ministri, me kompetenca të sendërtuara dhe të përforcuara.
Ndërkaq, nevoja për transformim të sekretariatit në ministri u përcaktua që në vitin 2015, në analizën që e hartoi Instituti për paqe, i udhëhequr nga diplomati holandez Piter Fejt i cili në kohën e tij ishte njëri nga ndërmjetësit në vitin e konfliktit 2001. Në këtë analizë, që e porositi sekretariati i atëhershëm në krye me Musa Xhaferrin, midis të tjerave, theksohet se ka nevojë për themelim të një ministrie, e cila “në mënyrë të drejtpërdrejtë do ta mbikëqyrë zbatimin dhe avancimin e Marrëveshjes së Ohrit”.
Sipas kësaj, në fillim të vitit të kaluar 2019, përbërja paraprake parlamentare, në përpjekjen e tretë, arriti ta grumbullojë minimumin e shumicës, dy të tretat prej 80 deputetëve , për të votuar ndryshimet e Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore, me të cilin praktikisht themelohet ministria e re. Më saktë, për këto ndryshime ligjore votoi edhe pushteti i tanishëm , i prirë nga LSDM dhe BDI, por përkrahje dhanë edhe deputetët e opozitës të udhëhequr nga VMRO - DPMNE.
Sipas këtyre ndryshimeve ligjore, ministria i kryen punët që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit politik, zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, avancimin e të drejtave (gjuhësore, kulturore, religjioze) të pakicave e kështu me radhë. Të gjitha kompetencat e saj, ndërkaq, realizohen nga organe të ndryshme, që janë të përcaktuara me akt nënligjor – Rregullore për organizim të brendshëm të ministrisë, përmes së cilës rregullohet mënyra e punës, llojet e formave organizative dhe kompetenca e tyre, për tu siguruar “zbatimi ligjor, profesional dhe racional i punëve dhe të detyrave”.
Brenda gjashtë muajve të ardhshme premtohet zgjidhje
Për atë që ndodh në Ministrinë për sistem politik ,ne kërkuam qëndrim edhe nga Kabineti i ministrisë për anti-korrupsion dhe të resurseve njerëzore, Lupço Nikollovski. Nga kjo ministri thonë se procesi në lidhje me të punësuarit në Ministrinë e sistemit politik, që është në programin katërvjeçar qeveritar, tanimë ka filluar të zbatohet dhe se ato kanë qenë dhe janë në komunikim të vazhdueshëm me ministrin për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive Artan Grubi, për të pasur një zgjidhje përkatëse.
“Plani është që në gjashtë muajt e parë, të sistemohen dhe të fillojnë me punë në institucionet shtetërore të gjithë të punësuarit në sajë të Marrëveshjes Kornizë, ndërsa institucionet ti miratojnë kërkesat e të punësuarve për njohje të arsimit në pajtim me ndryshimet e fundit në Ligjin për të punësuarit në administratën publike dhe në sektorin publik. Përkatësia etnike nuk do të keqpërdoret gjatë punësimit. Do të fokusohemi në atë që ti zgjidhim dhe ti ndryshojmë këto gjendje, me ndryshime në strukturën, cilësinë dhe madhësinë e administratës", na u përgjigjen nga ajo ministri.
Për nevojat e kësaj storie kërkuam edhe intervistë nga ministri i Ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, Artan Grubi, por deri në publikimin tekstit, nuk morëm përgjigje.
Autorë: Vllatko Stojanovski dhe KristinaOzimec
Këtë përmbajtje e përpiloi PINA – Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza në bashkëpunim me Institutin për studime komunikuese dhe onllajn platforma Samo prashaj, si pjesë e projektit Lidhi pikët: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare, që e financon Ambasada Britanike në Shkup.