Vijnë kohëra kur përveç turistëve të huaj, edhe qytetarëve të Shkupit do tu nevojitet hartë për ta gjetur Çarshinë e vjetër të Shkupit. Shkaku kryesor për atë është që vazhdimisht ndryshon pamja e thelbit të vjetër të Shkupit, preken kufijtë dhe sulmohet ambienti me objekte shumëkatëshe, sikur që dikush kryekëput dëshiron ta fsheh bukurinë e Çarshisë. Në letër, ligji parashikon se nuk guxon të ndryshohet asnjë tjegull nga pullazet, e as në distancën më të afërt të Çarshisë nuk guxojnë të ndërtohen objekte madhësia e të cilave do ta shëmtojë pamjen e saj autentike. Në terren, ka raste ku me aminin institucional realizohen objekte masive aty ku nuk e kanë vendin, si dhe raste të caktuara ku fillimisht ndërtohet e mandej kërkohet leje. Shembulli më i freskët për atë dhe hala e fundit në syrin e qytetarëve është mbindërtimi jo-përkatës i objektit “Menada”. Nëse diçka e tillë mund të ndodhë në vetë hyrjen e Çarshisë, atëherë kush e din se çfarë mund të ketë në brendësinë dhe përreth saj. Prandaj, ne hulumtuam se çfarë është gjendja, ndërsa gjetjet janë alarmuese.
Zonat e kontaktit si plastelinë
Në Ligjin për shpallje të Çarshisë së vjetër të Shkupit për trashëgimi kulturore me rëndësi të posaçme, i miratuar nga Kuvendi në tetor të vitit 2008 janë përcaktuar kufijtë e tërësisë monumentale dhe të ashtuquajturat zona të kontaktit të Çarshisë.
Sipas Ligjit, tërësia e monumentit gjendet në rajonin e komunave Çair dhe Qendër dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 11 hektarë e 58 ari dhe 14,71 metra katror. Çarshia e vjetër e Shkupit ka tre zona kontakti, e ato janë: zona e kontaktit “Mavrovasja”, zona e kontaktit “Most” dhe zona e kontaktit “Duqanxhik”, me sipërfaqe të përgjithshme të atyre zonave prej 23 hektarë, 46 ari 47,11 metra katror.
Krahasimi i të dhënave nga hartat e vjetra topografike, nga incizimet satelitore dhe mjetet e tjera treguan se sipërfaqet e përgjithshme nën objekte në Çarshinë dhe në zonat e kontaktit janë shtuar nga 11,77 hektarë në vitet e 70-dhjeta në 14,81 hektarë në vitin 2002, përkatësisht ka rritje prej 25,81 për qind të sipërfaqes nën objekte.
Analiza tregoi se në këtë periudhë tridhjetëvjeçare, në Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe në çdo njërën nga zonat e kontaktit ka trend të rrënimit të një pjese të ndërtimeve më të vogla të vjetra në llogari të të cilave bëhen ndërtime më të mëdha. Numri i gjithëmbarshëm i ndërtimeve nuk ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, por sipërfaqja mesatare e ndërtimeve është rritur në mënyrë drastike, e me atë edhe sipërfaqja e gjithëmbarshme nën objekte në tërë rajonin është më e madhe.
Tabela 1: Sipërfaqe e objekteve në vitet 1970 dhe 2002 në çarshinë e vjetër të Shkupit dhe tre zonat e kontaktit
Gjatë analizës janë përdorur të dhëna nga hartat topografike në shkallën 1:25000 nga vitet e 1970-ta dhe nga viti 2002
Pikërisht për tu penguar “invazioni i tillë ndërtimor”, para 12 vitesh u miratua ligji me të cilin Çarshia e vjetër e Shkupit u shpall trashëgimi kulturore e me të cilin hyjnë në fuqi rregulla të ashpra për mbrojtje të tërësisë monumentale edhe të zonave të kontaktit të Çarshisë.
Prapëseprapë, hulumtimi jonë tregoi se edhe pas miratimit të kësaj rregullative, përkatësisht në periudhën e viteve 2007 - 2020 ka ndryshime të dukshme dhe jo-përkatëse në terren.
Në hartën janë shfaqur objekte të cilat janë në kolizion të mundshëm me nenin 7 të Ligjit, në të cilin midis të tjerave parashihet ruajtja e lartësisë ekzistuese të objekteve, forma e pullazeve dhe materialet origjinale të mbulimit, me përdorim të obligueshëm të tjegullave si material mbulimi te ndërtimet e reja, si dhe ndalohet ndryshimi i parcelave dhe i strukturës urbane, por edhe të ngriten përmendore memoriale dhe objekte-përkujtimore të cilat nuk janë të ndërlidhura me krijimin dhe zhvillimin e Çarshisë së vjetër të Shkupit.
Në Çarshinë e vjetër të Shkupit nga viti 2007 e këndej është ndërtuar sheshi “Skënderbeu”, i cili përfshin një pjesë të madhe mbi objektet te rajoni i “Menadës”. Një pjesë e përmendores së kulturës “Hani Hotel Sharr” ka humbur në sipërfaqe. Është ndërtuar “Birari” me zgjerimin e sheshit “Sh. Spas”. Te hoteli “Bushi” një objekt është shndërruar në vend-parkimi, ndërsa dy janë rrënuar. Është ndërtuar objekt i ri te Kapan Hani.
LEXO MË TEPËR: | ||
Kur nuk mund të rregullohet e tërë Çarshia, së paku të “zbukurohen” vitrinat |
Te tri zonat e kontaktit ka ndërtim të godinave ose shtëpive më të larta në vendet e objekteve më të vjetra, është ndërtuar objekti “Bit-Pazar” (beton, konstruksion dhe zëvendësimi gradual i tezgave), objekti i Filarmonisë, sheshi i ri “Filipi i Dytë”.....
Tabela 2: Pasqyrë e llojeve të mbulimit të truallit në vitin 2007 dhe 2020 dhe ndryshimi i përgjithshëm i mbledhur të sipërfaqeve në Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe në zonat e kontaktit
Gjatë analizës janë përdorur të dhëna nga incizimet satelitore nga vitet 2007 dhe 2020
Midis ndryshimeve më të rëndësishme në Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe të tre zonave të kontaktit në tridhjetë vitet e kaluara është humbja e 1,7 hektarëve të sipërfaqes së gjelbër, gjë e cila është zvogëlim prej 30 për qind. Të gjelbra janë të pranishme në të gjitha pjesët, ndërkaq, më të shprehura janë në zonën e kontaktit “Most”.
Në hartën janë të shënuara objekte për të cilat ekziston kolizion i mundshëm me nenin 8 nga Ligji, në të cilin thuhet se në afërsinë e drejtpërdrejtë të Çarshisë së vjetër të Shkupit nuk guxon të ndërtohen objekte lokacioni i të cilave, gabariti dhe dukja ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe të formësohen sipërfaqe të hapura në mënyrën në të cilën do të degradohet ose do të shëmtohet dukja autentike e çarshisë së vjetër të Shkupit dhe të zonës së mbrojtur në tërësi.
Në esencë, kur alarmohet për problemet e çarshisë së vjetër të Shkupit, zakonisht harrohet në zonat e kontaktit, gjë e cila është e gabuar.
Atë e vë në pah edhe Divna Pençiq, profesoreshë e Fakultetit të Arkitekturës dhe anëtare e Komisionit për urbanizëm në Komunën Qendër.
“Zonat e kontaktit janë shumë të sulmuara. Çarshia vetvetiu është e mbrojtur, por ka tre zona të mbrojtura në të cilat insistohet për ndërtim intensiv. Këtu ka presione të shumta. Ato e ndryshojnë pamjen, në kuptimin e asaj se vështirë mund ti qasesh Çarshisë. Më herët kemi mundur në Çarshi të hyjmë nga secila anë, por tani kjo ka ndryshuar. Ky nuk është lloji i mbyllur i Çarshisë, e kur janë bërë ato depërtime, me objekte të mëdha, me dedikime për banim, të cilat nuk ishin më përpara atje, tani, përnjëherë ajo hapësirë merr dukje të re. Shembulli më eklatant është sheshi “Skënderbeu”, i cili tani nuk është aq i ri. Ai është njëri nga gabimet më të mëdha që e kanë bërë. Pritej shumë nga ai projekt, prisnim se do ta bëjë puqjen e asaj pjese kulturore ku janë tani, apo, filarmonia e re, baleti, shkolla muzikore, parku i ri..... Se do të bëjë një kalim të butë ndaj Çarshisë. Përkundrazi, ajo bëri një barrierë të re, të pashfrytëzuar, me shumë para të shpenzuara, totalisht jo-funksionale”, thotë Pençiq.
Në mënyrë kundër-ligjore Çarshia “copëzohet” në vend që të rregullohet si tërësi
Pjesa më e madhe e Çarshisë së vjetër të Shkupit është në territorin e Komunës Çair, ndërsa një pjesë e vogël është nën ingerencat e Komunës Qendër. Njëri nga problemet kryesore në raport me rregullimin e gjendjeve të Çarshisë është ai që ajo, sipas ligjit, për nga ana urbanistike duhet të rregullohet si tërësi, por në realitet kjo bëhet për çdo pjesë veç-e-veç, përkatësisht bllok pas blloku.
Sipas profesoreshës Jasmina Siljanovska, e cila është edhe koordinatore e aktiviteteve të Laboratorit të gjallë të qytetit të Shkupit në projektin “Rok” (ROCK) nga programi “Horizon” 2020” në të cilin morri pjesë Fakulteti i arkitekturës pranë UKIM, zgjidhja e këtillë është jo-përkatëse dhe e rrezikshme.
Tërë intervistën me prof. Jasmina Siljanovska mund ta shihni KËTU
K problem ka rrënjë të thella. Në të vërtetë, me ligjin nga viti 2008 ishte paraparë që komunat Çair dhe Qendër të hartojnë plane të detajuara urbanistike për zonat nën kompetencat e tyre, të cilat janë në kuadër të zonës së mbrojtur të Çarshisë. Por, më 29 dhjetor të vitit 2010 janë miratuar ndryshime të Ligjit për shpallje të Çarshisë së vjetër të Shkupit për trashëgimi kulturore me rëndësi të posaçme, me të cilat aplikohet obligimi për hartim të një plani urbanistik për tërësinë e plotë monumentale “për shkak të mbrojtjes, rregullimit, ri-vitalizmit dhe shfrytëzimit racional të Çarshisë së vjetër të Shkupit”
Në të dy komunat pyetëm nëse lëshojnë leje për ndërtim në territorin e Çarshisë së vjetër të Shkupit e cila është në kufijtë e tyre, sipas të cilit plan urbanistik dhe nëse ekziston PDU për tërësinë e plotë monumentale. Përgjigje morëm vetëm nga komuna Qendër.
“Komuna nuk lëshon leje për ndërtim, leje për ndërtim në territorin e Çarshisë së vjetër të Shkupit lëshon Ministria e transportit dhe lidhjeve, sepse bëhet fjalë për ndërtime të kategorisë së 1-rë, gjë e cila paraqet tërësi monumentale dhe janë të shpallura si trashëgimi kulturore me rëndësi të posaçme. Ekziston plan i detajuar urbanistik i cili është në fuqi dhe është i emërtuar PDU “Çarshia e vjetër”. PDU ka të bëjë me tërë çarshinë e vjetër dhe është i miratuar me vendim nr. 07-600 të vitit 29.9.1999 nga Këshilli i Komunës Qendër. Për momentin ka procedurë aktive për harmonizimin e PDU ekzistues me Planin e Përgjithshëm urbanistik të Qytetit të Shkupit nga viti 2012 dhe procedura punohet në mënyrë paralele edhe në Komunën Qendër edhe në Komunën Çair.”, thonë nga Komuna Qendër.
Me fjalë të tjera, në vitin 2020, kur tanimë në vazhdë e sipër është procedura për miratimin e planit të ri të përgjithshëm për Shkupin, bëhet harmonizimi i planit të vjetër dy dekada për çarshinë me PPU i cili është në fazën e vjetërsimit.
LEXO MË TEPËR: | ||
Çarshia e vjetër e Shkupit ka qenë zemra e qytetit |
Përgjigje rreth lejeve për ndërtim kërkuam edhe nga Ministria e transportit dhe e lidhjeve.
“Nga viti 2008 deri tani janë dorëzuar 23 kërkesa për marrje të lejes për ndërtim në Çarshinë e vjetër të Shkupit, nga të cilat 4 janë miratuar si vendime për rikonstruktim, 3 janë në procedurë, 16 janë refuzuar. Kërkesat janë dorëzuar nga persona juridik për objekte afariste, si dhe nga persona fizik të cilët kanë kërkuar leje për ndërtim dhe rikonstruktim”, thonë nga Ministria e transportit dhe lidhjeve.
Për problemet me gjendjet kundërthënëse në raport me planifikimin në Çarshinë dhe me ndikimet politike, kërkuam mendim nga Pençiq dhe nga Danica Pavllovska, aktiviste dhe eksperte në Këshillin e Evropës.
Pençiq thotë se në Komunën Qendër janë habitur kur Drejtoria për mbrojtje të trashëgimisë kulturore ka lejuar që të bëhet PDU për një bllok të Çarshisë, gjë e cila është në kundërshtim me ligjin. Pavllovska, ndërkaq, vë në pah se gjendja në Çarshinë është kritike.
Këtë përmbajtje e përpunoi Instituti për studime të komunikimit
Redaktor: Vlladimir Nikollovski
Gazetarë: Ana Zafirova, Katerina Topallova, Martin Pushevski
Hartimi i hartave dhe të tabelave: Vasko Avukatov
Xhirues: Ivan Popoviq, Zoran Dogov, Boris Kaevski, Lubomir Domazetov, Predrag Saviq
Montazhi: Borçe Krstevski, Riste Dushkovski
Lektura: Tatjana B. Eftimovska
Storie të ndërlidhura:
{loadposition okupacija-carsija-rel}