Video të rreme, rreziqe reale: Si të mbrohen zgjedhjet nga keqpërdorimi i IA-së?

  • Me inteligjencën artificiale, ndikimi te votuesit do të bëhet shumë më i lehtë dhe shumë më bindës, ndërsa gjurmimi i burimit do të jetë edhe më i vështirë.
  • Ndikimi i huaj zakonisht shfrytëzon problemet dhe ndarjet ekzistuese, në vend që të shpikë tema krejtësisht të reja, për të krijuar apati, frikë, tensione ndëretnike ose mosbesim ndaj institucioneve dhe sistemit zgjedhor.
  • Situata është veçanërisht e ndjeshme kur përmbajtjet e rreme shfaqen menjëherë para votimit dhe koha për verifikim e përgënjeshtrim është e shkurtër.
  • Gjatë zgjedhjeve në Gjermani, SHBA dhe vende të tjera evropiane janë zbuluar operacione që përdorin inteligjencën artificiale për të imituar media botërore dhe për të përhapur përmbajtje të rreme me narrativa proruse. Më i njohuri është operacioni “Doppelgänger”.

Inteligjenca artificiale përdoret gjithnjë e më shumë për prodhimin e përmbajtjeve politike — nga prezantues virtualë me mesazhe politike deri te ilustrime dhe video të shkurtra të drejtuara kundër kundërshtarëve politikë. Njëkohësisht, ajo po merr një rol më të madh edhe në mënyrën se si votuesit informohen për politikën dhe zgjedhjet. Kjo shton shqetësimin se këto mjete mund të shfrytëzohen për ndikim të huaj keqdashës dhe manipulim të informacionit në proceset zgjedhore.

Nga chatbot-et deri te kërkimet në internet, qytetarët bien në kontakt me përmbajtje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (IA), ndonjëherë edhe pa qenë të vetëdijshëm për këtë. Disa e përdorin si mjet ndihmës për të marrë informacion, ndërsa të tjerë e perceptojnë si një këshilltar me autoritet.

Këto ndryshime i vënë përballë sfidave të reja si shtabet zgjedhore, ashtu edhe institucionet përgjegjëse. Partitë duhet të rishqyrtojnë strategjitë e tyre digjitale, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe organet e tjera duhet të rishikojnë mënyrat e mbrojtjes së të dhënave, të informimit të votuesve dhe të ruajtjes së besimit në procesin zgjedhor.

Operacionet e huaja të ndikimit nëpër botë

Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në përmirësimin e proceseve demokratike, por keqpërdorimi i saj për manipulim dhe dezinformim krijon rreziqe, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, në vitin 2025, u përhapën përmbajtje të fabrikuara kundër kandidatit të atëhershëm për kancelar, Friedrich Merz. Në një video, një person që paraqitej si psikiatër pretendonte rrejshëm se e kishte trajtuar pas një krize psikike në vitin 2017. BBC Monitoring dokumentoi përhapjen e këtij pretendimi përmes faqeve të internetit të lidhura me operacionin “Storm-1516”.

Në një rast tjetër u përhap një dëshmi e rreme kundër Robert Habeck-ut nga Të Gjelbrit, me akuza për një skandal të pretenduar korrupsioni, të lidhur me shitjen e pikturave të Picasso-s te miliarderë ukrainas. Studiuesit e “Projektit Gnida” i lidhin këto raste me operacionin rus të dezinformimit “Storm-1516”, përmbajtjet e të cilit shpërndahen përmes një rrjeti faqesh interneti dhe profilesh në platformat sociale.

Një operacion tjetër është “Doppelgänger”, i njohur për imitimin e faqeve të internetit të mediave me reputacion. Përmes kopjeve të tilla dhe përmbajtjeve të rreme përhapen narrativa proruse dhe diskreditohen politikat perëndimore, sidomos mbështetja për Ukrainën. Në shtator të vitit 2024, autoritetet amerikane morën masa kundër aktorëve të lidhur me këtë operacion, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e ndikimit të huaj në zgjedhje.

Gjatë fushatës presidenciale amerikane në vitin 2024, shërbimet e inteligjencës paralajmëruan se Rusia dhe Irani po përdornin IA gjeneruese për të fuqizuar operacionet e ndikimit. Mes përmbajtjeve të identifikuara kishte edhe fjalime të manipuluara të Kamala Harris-it.

Në prag të zgjedhjeve për Kongresin e SHBA-së, të caktuara për më 3 nëntor 2026, studiuesit paralajmërojnë edhe për një fushatë të re të rrjetit “Matrjoshka”, të lidhur me Rusinë.

Sipas publikimit të MS NOW, studiuesit e Antibot4Navalny kanë identifikuar 16 video me pamje të manipuluara të personave të njohur dhe përmbajtje që imitojnë CNN-in. Në to përhapen akuza të pabazuara kundër demokratëve dhe shikuesve u bëhet thirrje të mos votojnë për kandidatët e tyre. Edhe një analizë e Brennan Center përshkruan përhapjen e videove sintetike me persona të njohur dhe të kronikave të rreme që paraqiten si përmbajtje të CNN-it.

Raportet e kompanive teknologjike tregojnë se IA po bëhet pjesë e zakonshme e operacioneve të tilla. Sipas analizës së Brennan Center, e cila shqyrton gjetjet e këtyre kompanive, Meta ka identifikuar përdorimin e IA-së gjeneruese në të gjitha rrjetet e sjelljes së koordinuar joautentike të përfshira në raportin përkatës — nga gjenerimi i fotografive të profileve deri te prodhimi i automatizuar i përmbajtjeve.

Edhe Anthropic raporton për operacione në të cilat IA përdoret për të krijuar profile të rreme dhe faqe interneti që paraqiten si media, duke fshehur subjektet që qëndrojnë pas tyre.

Çfarë është e vërtetë dhe çfarë është gënjeshtrë?

Ndikimi i huaj duhet të kuptohet jo vetëm si përhapje e propagandës, por edhe si përpjekje për të cenuar stabilitetin e një vendi apo komuniteti.

Sa lehtë mund të keqpërdoret IA për të krijuar lajme të rreme, video deepfake dhe për të manipuluar publikun? Sa e vështirë është të zbulohet nëse pas një përmbajtjeje të tillë qëndron një autor vendas apo një operacion i huaj ndikimi?

“Mënyra e ushtrimit të ndikimit nuk do të ndryshojë, por me IA do të bëhet shumë më e lehtë, shumë më bindëse dhe ndoshta nuk do të jetë e mundur as të gjurmohet burimi”, vlerëson profesori Dimitar Trajanov nga FINKI.

Sipas tij, rreziku qëndron te mundësia për të krijuar shumë më tepër përmbajtje, me cilësi dukshëm më të mirë se më parë.

Komunikologu Sead Xhigal paralajmëron se pasojat mund të jenë më të gjera.

“Rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te fakti që qytetarët mund t’i besojnë një përmbajtjeje të rreme, por edhe te fakti që vetë ekzistenca e përmbajtjeve të rreme mund të krijojë dyshime për gjithçka që ndjekim në media”, thotë Xhigal.

Сеад Џигал, комуниколог

Lexoni intervistën e plotë me komunikologun Sead Xhigal

Inteligjenca artificiale mundëson krijimin e shpejtë të përmbajtjeve të rreme bindëse, por edhe të propagandës së personalizuar. Xhigal shpjegon se si kjo ndikon në zgjedhje dhe si duhet reaguar ndaj një videoje të rreme.

Çfarë tregojnë shembujt e deritanishëm në Maqedoni?

Analizat për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024 dhe për zgjedhjet lokale të vitit 2025 nuk japin një pasqyrë të plotë të shtrirjes së përdorimit të IA-së në komunikimin politik. Mbeten të hapura pyetjet se sa është përdorur ajo për paraqitje të rreme, diskreditim të politikanëve apo orientim manipulues të debatit publik, si dhe se kush ka qëndruar pas publikimeve të veçanta.

Në raportin e International IDEA, të përgatitur në bashkëpunim me “Metamorfozis” dhe të publikuar në vitin 2025, thuhet se deri në vitin 2024 ndikimi i përmbajtjeve të gjeneruara me IA në vend ka qenë i kufizuar.

Një nga shembujt e dokumentuar që u shfaq në rrjetet sociale pas zgjedhjeve presidenciale është një video me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, në të cilën ajo gjoja “uron 2 Gushtin, Mitrovdenin”. Në verifikimin e publikuar më 4 gusht 2025, “Vistinomer” konstaton se videoja është krijuar me inteligjencë artificiale dhe se presidentja nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë. Si tregues të manipulimit përmenden dallimet në zë, në pamje dhe në shprehjet e fytyrës.

Asnjë nga katër partitë më të mëdha — VMRO-DPMNE, VLEN, LSDM dhe BDI — nuk iu përgjigj pyetjeve të Institutit për Studime të Komunikimit nëse përdorin inteligjencën artificiale në komunikimin politik, nëse i druhen ndikimit të huaj në zgjedhjet e ardhshme dhe si do të mbrohen prej tij.

Megjithatë, ekzistenca e një përmbajtjeje të rreme, në vetvete, nuk tregon nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për pjesë të një fushate të organizuar.

Dallimi i përmbajtjeve të tilla bëhet edhe më i vështirë me përparimin e teknologjisë. Trajanov shpjegon se përmbajtjet e krijuara me platforma më të lira mund të dallohen më lehtë, por mjetet e sofistikuara mundësojnë video shumë më bindëse. Nëse autori ka njohuri dhe buxhet të mjaftueshëm, shikuesi mund ta ketë jashtëzakonisht të vështirë të dallojë një video të gjeneruar nga një regjistrim autentik.

Profesori Trajanov vë në dukje edhe mundësinë që IA të përdoret për verifikimin dhe zbulimin e përmbajtjeve të dyshimta.

“Nëse merrni një lajm, provoni ta vendosni në ChatGPT dhe t’i kërkoni të kontrollojë nëse është i vërtetë apo i rremë, do t’ju japë njëfarë informacioni. Megjithatë, pyetja është se sa njerëz do ta bëjnë këtë”, thotë Trajanov.

Manipulimi i vëmendjes, emocioneve dhe besimit

Situata është veçanërisht e ndjeshme kur një përmbajtje e rreme shfaqet menjëherë para votimit, ndërsa koha për verifikim dhe përgënjeshtrim është e shkurtër.

“Në komunikimin e shpejtë digjital, informacioni i parë ka ndikim shumë më të madh se reagimet apo korrigjimet e mëvonshme. Gjithashtu, IA mundëson propagandë të personalizuar, përkatësisht që mesazhe të ndryshme t’u drejtohen grupeve të ndryshme të votuesve, duke e bërë kështu më të efektshëm ndikimin e tyre të dëmshëm dhe manipulues. Prandaj, problemi nuk është vetëm përhapja e informacioneve të rreme, por edhe pasojat e dëmshme të manipulimit të vëmendjes, emocioneve dhe besimit të qytetarëve”, thotë komunikologu Xhigal.

Inteligjenca artificiale përbën kërcënim për zgjedhjet e lira kur votuesit mashtrohen dhe cenohet procesi zgjedhor.

Çfarë nënkuptohet me këtë:

Media të rreme dhe publikime të rreme

  • Përmbajtje deepfake: Inteligjenca artificiale mund të krijojë video dhe regjistrime zanore të rreme, jashtëzakonisht realiste, të udhëheqësve politikë.
  • Deklarata të rreme: Në këto regjistrime të rreme, kandidatët duken sikur thonë gjëra që nuk i kanë thënë kurrë.
  • Mashtrimi i votuesve: Përmbajtjet e rreme mund ta çorientojnë publikun dhe të dëmtojnë reputacionin e një kandidati të caktuar.

Sulme kibernetike

  • Zbulimi i dobësive të sigurisë: Inteligjenca artificiale i ndihmon hakerët të skanojnë shumë më shpejt rrjetet kompjuterike të institucioneve zgjedhore dhe të gjejnë mangësitë e sigurisë.
  • Phishing i sofistikuar: IA mund të krijojë mesazhe elektronike të rreme shumë bindëse, me qëllim vjedhjen e fjalëkalimeve dhe të dhënave të zyrtarëve zgjedhorë.
  • Çrregullimi i sistemeve: Sulme të tilla mund ta ngadalësojnë ose ta pengojnë funksionimin e përditshëm të proceseve zgjedhore.

Qëllimi i ndikimit të huaj keqdashës nuk është domosdoshmërisht bindja e votuesve për të zgjedhur një kandidat të caktuar. Ai mund të jetë edhe nxitja e apatisë, frikës, tensioneve ndëretnike apo mosbesimit ndaj institucioneve dhe sistemit zgjedhor.

“Ndikimi i huaj zakonisht nuk shpik tema krejtësisht të reja. Për ata që e ushtrojnë, është shumë më efikase kur arrijnë të gjejnë probleme dhe ndarje tashmë ekzistuese në shoqëri, të cilat më pas i përforcojnë. Në kontekstin maqedonas, këto mund të jenë marrëdhëniet ndëretnike, çështjet e identitetit dhe gjuhës, marrëdhëniet me fqinjët, BE-në dhe NATO-n, migracioni, korrupsioni dhe pasiguria ekonomike”, shpjegon Xhigal.

Ai paralajmëron edhe për mundësinë e përshkallëzimit. Kur një përmbajtje manipuluese prek një temë të ndjeshme dhe nxit frikë, zemërim apo ndjenjën e padrejtësisë, ajo mund të kontribuojë në konflikte verbale, protesta, madje edhe incidente. Prandaj, sipas tij, ndikimi i huaj duhet të shqyrtohet edhe si përpjekje për të cenuar stabilitetin e një vendi apo komuniteti.

Protokollet e sigurisë dhe ndryshimet e mundshme ligjore

Përdorimi keqdashës i IA-së mund të synojë edhe informimin për vetë procesin zgjedhor. Në vend që të bindin qytetarët se për kë duhet të votojnë, përmbajtjet manipuluese mund t’i hutojnë ata me informacione të pasakta për vendvotimet, dokumentet e nevojshme apo procedurën e votimit.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, thotë se po merren masa sigurie, në të cilat përfshihen disa institucione dhe ekipe ekspertësh të teknologjisë së informacionit, të angazhuar për zgjedhjet.

Sipas tij, është miratuar një strategji komunikimi që përfshin sigurinë e komunikimit, përpunimin dhe publikimin e rezultateve zgjedhore, si dhe funksionimin e përditshëm të Komisionit.

“Kemi edhe një procedurë që parashikon një protokoll të posaçëm komunikimi gjatë zgjedhjeve, por edhe një protokoll të posaçëm funksionimi dhe komunikimi në raste incidentesh apo situatash të jashtëzakonshme dhe fatkeqësish”, thotë Mariçiq.

Megjithatë, në vlerësimin për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ODIHR-i vë në dukje burimet e kufizuara dhe infrastrukturën e vjetruar, të cilat kanë ndikuar në një pjesë të punës së administratës zgjedhore. Kryetari i KSHZ-së pranon se as institucionet nuk janë të vetëdijshme për të gjitha kërcënimet dhe se kuadri rregullator ende nuk është i plotë.

Mariçiq vlerëson se, gjatë shqyrtimit të Kodit të ri Zgjedhor, ligjvënësi mund të marrë në konsideratë edhe rregullimin e përdorimit të IA-së në procesin zgjedhor. Ai thekson se zgjidhje të tilla duhet të jenë “në ekuilibër me lirinë e shprehjes dhe me lirinë e garës zgjedhore”.

Mbrojtja e vetme për qytetarët është edukimi mediatik dhe besimi te mediat profesionale dhe institucionet.

IA mund të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve, përpunimin e informacionit dhe komunikimin me qytetarët, por përdorimi i saj kërkon mbikëqyrje njerëzore dhe përgjegjësi të qartë. Ajo duhet të jetë një mjet ndihmës, ndërsa vendimmarrja të mbetet në duart e njerëzve.

Kjo përmbajtje u përgatit nga Instituti për Studime të Komunikimit.

Gazetare: Sanja Vasiq

Montazhi: Risto Dushkovski

Fotografitë: envato.com, sec.mk dhe ChatGPT

Тагови: